Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka uruar të gjithë punëtorët 1 Majin- Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, me shpresë që të avancohet niveli i të drejtave të punëtorëve dhe duke inkurajuar punëtorët për angazhim në mbrojtjen e të drejtave të tyre, të garantuara me ligj.
Me këtë rast Reshitaj paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, dukuri kjo mjaft e shprehur në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
“Ndezja e zjarreve dhe në veçanti gomave, për festën e 1 majit, janë veprime që do të ndëshkohen. Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësishtë djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht gjoba është 100 euro”.
“Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore. Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës. Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë”.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin e të gjithë atyre që ndezin goma me rastin e kësaj dite, si në çdo ditë tjetër.