Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas raportimeve se një nxënëse e klasës së parë në shkollën ‘Faik Konica’ në Prishtinë, është sulmuar seksualisht.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Nagavci ka thënë se rasti do të trajtohet me prioritet dhe kujdes të veçantë.
“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente.”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje Nagavci ka ftuar që të gjithë të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmbanj të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e fëmijëve të përfshirë në video.
“Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre.”