Ministrja e punëve të Jashtme të Xhamajkës ka mohuar se vendi i saj ka njohur Kosovën.
Në një postim ne Twitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili e ka falënderuar Xhamajkën për njohje, Kamina J Smith ka shkruar se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.
“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, ka shkruar ajo.
Falënderim për shtetin e Xhamajkës dhanë të gjithë liderët kosovarë.
Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter e ka vlerësuar fillim të mbarë për punës e Qeverisë.
“Një vend i rëndësishëm i Karaibeve dhe një pjesë e rëndësishme e Kombeve të Komonuelthit njohën zyrtarisht Republikën e Kosovës. Një fillim i mbarë i vitit 2020 për diplomacinë e Kosovës dhe Qeverinë e re”, ka shkruar Kurti në “Twitter”.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka shkruar se vendimi për njohje është vendim i drejtë i marrë nga Xhamajka.
Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria është e gatshme të iniciojë marrëdhënie diplomatike me Xhamajkën.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të përcjellë, përmes kanaleve diplomatike, gatishmërinë për të inicuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve tona dhe për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se mbrëmë lajmin për këtë njohje e ka dhënë presidenti Thaçi.
Uebfaqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Xhamajkas nuk ka lëshuar njoftim për këtë rast. Megjithatë, kjo uebfaqe përmes llogarisë së saj në Twitter vazhdimisht shpërndan postimet e ministres J Smith. Këtë llogari në Twitter e ka etiketuar ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në falënderimin e tij.