Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë të martës ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, me të cilët diskutoi për procesin e emërimit të noterëve të përzgjedhur në mënyrë të dyshimtë.
Gjatë këtij takimi Haxhiu i përgëzoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për insistimin në pengimin e këtij procesi të dyshimtë i cili sipas saj duhet të kthehet në pikën zero.
Haxhiu tha se ka qenë pikërisht reagimi i shoqërisë civile ai i cili ka bërë që kundër këtij procesi të dalin edhe një numër institucionesh e organizatash ndërkombëtare.
Kurse, përfaqësuesit e këtyre organizatave falënderuan Haxhiun për angazhimin e saj në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Komisionit për Legjislacion, në trajtimin e çështjes së noterëve dhe njëherit kërkuan që urgjentisht të fillojë rishikimin e gjithë këtij procesi.
Ministrja Haxhiu u premtoi se shumë shpejt do të filloj rishikimi i gjithë procesit dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësit për ta kthyer këtë proces në pikën zero, gjithnjë duke ftuar organizatat joqeveritare dhe akterët tjerë relevant që të jenë monitorues dhe bashkëpunues.
Po ashtu gjatë takimit u adresuan edhe disa çështje tjera në lidhje me problemet e caktuara në lidhje me: Ligjin për Sinjalizuesit, Ligjin i Kodit të Procedurës Penale si dhe nevoja për hartimin e rregullores për mbrojtjen e sinjalizuesve.
“Ministrja u garantoi përfaqësuesve të shoqërisë civile transparencë dhe bashkëpunim në hartimin e politikave të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.