Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi zyrtari i burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc u kap me substanca narkotike, njofton Llapi.info.

Haxhiu nëpërmjet një postimi në Facebook e ka dënuar fuqishëm këtë veprim të kundërligjshëm, duke thirrur që të ndërmerren veprime të menjëhershme me këtë rast.

“Mbrëmë u njoftova se një zyrtar korrektues i Burgut të Sigurisë së Lartë, është zënë me substanca narkotike. E dënoj fuqishëm këtë veprim të kundërligjshëm dhe thërras për ndërrmarjen e veprimeve të menjëhershme në raport me këtë. Mekanizmat e brendshme të SHKK dhe institucionet e drejtësisë menjëherë të veprojnë në mënyrë që rasti i mbrëmshëm të dënohet dhe të tilla të mos përsëriten. Kontrabanda në qendrat korrektuese do të ndëshkohet e sidomos kur pjesë e saj janë zyrtarët korrektues”, ka shkruar Haxhiu.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se oficeri korrektues është arrestuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48-orë. Po ashtu, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ndaj tij janë iniciuar procedurat për pezullimin nga puna./Llapi.info