Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha të premten ka pritur në takim Ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, i cili njëherit është ambasador jorezident për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk.
Kështu thuhet në njoftimin e MIE-së për media.
Në këtë takim u diskutua për procesin integrues dhe angazhimi institucional në këtë drejtim.
Më tutje në këtë komunikatë theksohet se Hoxha ka theksuar se zbatimi i MSA-së, është detyrë me prioritet e Qeverisë, dhe se kjo Marrëveshje sipas saj, është kontrata e parë në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Ministrja po ashtu, çmoi lartë përkrahjen e Kanadasë dhe miqësinë e saj, për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, duke e quajtur, miqësi shembullore. Procesi integrues është prioritet konsensual i vendit tonë, i partive politike dhe institucioneve qendrore e lokale, pa dallim. Ne kemi dëshmuar se jemi gati për procesin e liberalizimit të vizave, kemi plotësuar të gjitha kriteret si dhe jemi gati të zbatojmë obligimet tjera që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.
MIE-ja ka njoftuar se ambasadori jorezident i Kanadasë për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk ka theksuar se përkrah përkushtimin e Kosovës për rrugën integruese, duke ofruar përkrahjen e vendit të tij në këtë proces.
“Kanadaja ka qëndruar dhe qëndron krah Kosovës, theksoi ai, si një vend mik që kontribuon edhe në integrimet në institucionet ndërkombëtare”, ka theksuar Maksymiuk.