Prishtinë, 8 qershor – Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të dënuarit Kolë Puka për shkak të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së dhe veprën penale pastrim i parave nga neni 56 par.1 i Ligjit për Pastrimin e Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit Ligji nr.05/L-096, duke vendosur, sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të dënuarit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 28 qershor 2017 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të datës 20 nëntor 2017, në seancën e kolegjit, të mbajtur më datë 15 maj 2018, ka miratuar pjesërisht kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë, të mbrojtësit të të dënuarit Kolë Puka ka anuluar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, vetëm përkitazi me veprën penale pastrimi i parasë, dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.
Pjesa tjetër e aktgjykimit është ndryshuar vetëm përkitazi me dënimin e shqiptuar, ashtu që për veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, e merr si të vërtetuar, kurse për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, po ashtu e merr si të vërtetuar, ashtu që i shqipton dënim unik burgimi, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, të dënuarit Kolë Puka i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues – ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbime publike si dhe ushtrimi i profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite, duke filluar nga dita e përfundimit të ekzekutimit të dënimit me burgim. I është konfiskuar pasuria si rezultat /përfitim nga kryerja e veprës penale si: banesë në Klinë, banesë në Prishtinë, patundshmëri në të cilën është e ndërtuar një shtëpi në Ulqin, parcelë në Ulqin; patundshmëri në Ulqin, patundshmëri – livadh në Ulqin, parcela në Ulqin, patundshmëri në Ulqin, shtëpi dy kate, në Klinë, si dhe tokë bujqësore, lokal afarist në Klinë, automjeti “Audi A6” dhe mjete financiare nga shitja e dy lokaleve afariste, paraprakisht të blera nga Kolë Puka, transmeton koha.net.
Në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të ushtruar nga avokati mbrojtës i të dënuarit, pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, përmban shkelje të ligjit penal, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të dispozitave përkitazi me konfiskimin e pasurisë etj..
Gjykata Supreme, në seancën e mbajtur, shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes dhe konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar.