Me 20 vota për, 12 kundër dhe asnjë abstenim është miratuar projektbuxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2016-2018. Miratimi i këtij projektbuxheti u përcoll me kritika nga ana e opozitës, derisa pozita e quajti planifikim serioz dhe në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Podujevës.

Isuf Latifi, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ka bërë të ditur se shuma totale e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2016-2018 është 18.446.798 euro. Ndërsa, struktura buxhetore është e përbërë nga dy burime: nga grandi qeveritar që kap shumën 16.786.798 euro dhe nga të hyrat vetanake komunale 1.790.000 euro.

Ai tregoi se me projektet e përfshira në këtë projektbuxhet do të ndërtohen ura, rrugë, kanalizime, rindërtime të shkollave, etj.

Por, opozita pati kritika ndaj këtij projektbuxheti.

Rafet Llapashtica, shef i këshilltarëve të PDK-së, tha se në këtë dokument asnjë mjet financiar nuk ka pasur ngritjen as 5 për qind të buxhetit, por nuk e ka as devijimin e projekteve infrastrukturale as 1 për qind

Ai shtoi se çdo vit ndahen nga 200 mijë euro për ndërtimin e një objekti të kulturës dhe ai objekt nuk ndërtohet.

Ndërsa, Haki Rudari, shef i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ky projektbuxhet nuk paraqet kërkesat themelore të qytetarëve dhe se nuk janë specifikuar rrugët që do të asfaltohen dhe hapësirat ku do të ndërtohen trotuare.

I pakënaqur me këtë projektbuxhet ishte edhe Flakron Gashi, asamblesit nga rradhët e PDK-së, i cili tha se për disa drejtori ky projektbuxhet është vetëm shpenzues e jo që ka ndonjë investim. Se ky projekt është vetëm shpenzues dhe nuk është zhvillimor tha edhe Lutfi Rexhepi, nga rradhët e AAK-së.

Nga ana tjetër, Hasan Softolli, asamblesit nga rradhët e LDK-së, tha se ky projektbuxhet është në harmoni me kornizëm afatmesme buxhetore dhe kornizën e shpenzimeve.

Kurse, Faik Muçiqi, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, tha se projektet që kanë qenë të arsyeshme janë parashiku dhe e mohoj anëshmërine partiake, sepse sipas tij projektet janë propozuar pa asnjë anëshmëri.

Ai tha se gjendja nuk është e mirë aq sa po na lavdërojnë, por nuk është as aq e keqe sa po na kritikojnë.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal i pranishëm ishte edhe krytari i Podujevës, Agim Veliu, i cili tha se nuk ka pasur asnjë keqpërdorim të mjeteve buxhetore në hartimin e këtij projektbuxheti./Llapi.info