Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal 2020-202; Rregulloren për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës dhe vendime të tjera me interes, transmeton Llapi.info.
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive. Në fillim të mbledhjes së sotme me një minutë heshtje u nderua Heroi i Kosovës Zahir Pajaziti dhe dëshmorët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha në 23 vjetorin e rënies së tyre.
Në mbledhjen e sotme, pas diskutimeve të shumta, Kuvendi miratoi Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal 2020-2022 në Komunën e Podujevës; vendimin për vënie në shqyrtim publik Projekt – Harta Zonale e Komunës së Podujevës për periudhën 2020-2028; Rregulloren për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës; vendimin për ngritjen e Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike – Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” sh.a., si dhe vendimin për ndihmë financiare Qendrës së Rehabilitimit Bazuar në Bashkësi “HANDIKOS” –Podujevë.
Në këtë mbledhje drejtori i Arsimit, Agim Blakçori paraqiti informatën për përfundimin e periudhës së parë të vitit shkollor 2019/2020.
Ndërsa drejtori i Administratës, Gëzim Namani, raportoi lidhur me vendosjen e personelit punonjës në ndërtesën e re të administratës komunale.
Gjatë mbledhjes së sotme u shqyrtua edhe raporti i Punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2019./Llapi.info