Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar Raportin Financiar për vitin 2019 dhe ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2019 në vitin 2020 si dhe propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.
Në mbledhjen e sotme, e cila për shkak të respektimit të masave preventive ndaj pandemisë COCID-19 u mbajt në sallën e Tetarit “Avdush Hasani”, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, ka paraqitur Raportin Financiar për vitin 2019. Lidhur me këtë pikë, drejtori Latifi, ka thënë se Buxheti i alokuar për vitin 2019 ka qenë 22,318,147 euro, prej të cilave janë shpenzuar 21,200,808, ose 94.99 e buxhetit. duke përfshirë edhe donacionet.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi shqyrtoi edhe Propozim vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2019 në vitin 2020 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore. Lidhur me këtë çështje drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i propozoi Kuvendi të hyrat vetanake në shumë prej 908,772 euro të pa shpenzuara në vitin 2019 të barten në vitin 2020, duke thënë se 597, 297 euro do të barten në programet e administratës komunale, kurse 206, 708 euro në shëndetësi dhe 104, 706 euro në programet e arsimit.
Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2019 në vitin 2020 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore.
Në mbledhjen e sotme drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, para kuvendarëve prezantoi informatën lidhur me shpërndarjen e ndihmave me pako ushqimore dhe higjienike qytetarëve në nevojë dhe ndihmave të tjera nga donatorë të ndryshëm, në periudhën e pandemisë COVID-19.
Drejtori Thaçi tha se Komuna e Podujevës nga buxheti i saj ka ndarë 135, 000 euro, me të cilat janë ndihmuar 2,280 familje me pako ushqimore, kurse nga donatorë të ndryshëm janë ndihmuar edhe mbi 2,000 familje me pako ushqimore dhe miell.
Pas diskutimeve lidhur me këtë informatë, nënkryetari Rudari tha se ndjehet i lumtur që tash e një muaj në komunën tonë nuk ka asnjë rast të peronave të infektuar meCOVID-19. Nënkryetari falënderoi donatorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në shpërndarjen e pakove ushqimore.
Kuvendi në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe Propozim Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës.
Lidhur me këtë pikë, drejtori Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19 është pamundësuar fillimi i zbatimit të kësaj rregulloreje gjatë këtij viti. Andaj u propozua që zbatimi i kësaj rregulloreje të fillojë nga 1 qershori i vitit 2021.
Kuvendi unanimisht vendosi që Propozim Rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës, që ka të bëjë me afatin e fillimit të implementimit të saj.
Kuvendi në mbledhjen e sotme nuk miratoi propozimin e grupeve të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e dy anëtarëve nga këto dy subjekte politike në Komitetin për Politikë dhe Financa./Llapi.info