Kuvendi Komunal i Komunës së Podujevës sot ka miratuar vendimin për projektin e ndërtimit të Kolektorit kryesorë të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës dhe implementimi përmes Klauzolës për Investime sipas Marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë

Mirëpo edhe pse ky vendim u miratua, partitë opozitare shprehën shqetësimin e tyre lidhur me këtë projekt, shkruan Llapi.info.

Sipas përfaqësuesit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari ky projekt është vonuar për më shumë se katër vite deri më tani dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë vonesë.

“Këto investime është dashtë që të bëhen më herët dhe ne mendojmë se është e vonuar. Në ligjin për Ratifikim të Marrëveshjes për bashkëpunim financiar ndërmjet dy qeverive të Austrisë dhe të Kosovës thuhet se kjo është bërë më 12 korrik 2012. Andaj mendoj që nga kjo kohë 12 korrik 2012 gjerë në këtë kohë është një vonesë e madhe për të cilën dikush duhet të përmbajë përgjegjësi për të. Ne mendojmë se këto projekte është dashur që të vinë shumë më herët”, tha Rudari.

Lidhur me këtë vendim edhe përfaqësuesi i këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Rafet Llapashtica tha se kemi një vërejtje që ka të bëj me propozimin e vendimit për miratim të klauzolës së investimeve si dokument, e cila mungon nga ana e kryetarit të Komunës.

“Kemi vetëm kërkesën drejtuar Ministrit të Financave dhe nuk ekziston vendim propozimi i Kryetarit për miratim të klauzolës së investimeve në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Austrisë. Pra propozim vendimi nuk është, material që do të votohet sot, si dokument është vetëm kërkesa” tha Llapashtica duke u shprehur se edhe përkundër kësaj e përkrahim këtë vendim.

Nga ana tjetër Drejtorit të Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu këtë projekt e cilësoi si më të rëndësishmin për banorët e Komunës së Podujevës.

Sipas tij ky projekt do të kushtoj 5 milion e 600 mijë euro.

“Është një shumë financiare prej 5,6 milion eurove edhe periudha Greis pra e kësaj kredie është 4 vite e gjysmë plus 2 vite llogariten deri sa të përfundohen punimet edhe ajo periudhë llogaritet edhe pas 6 e gjysmë fillon d.m.th kësti i parë. Këstet ndahen në gjashtë mujore dhe sipas një kalkulimi të cilën e kemi nxjerrë një vlerë financiare prej 179 mijë e 67 euro e 74 cent parashihet kësti 6 mujor, pas periudhës së vitit 6 e gjysmë. Edhe zgjatë realisht 21 vite gjithsej dhe është me zero kamatë” tha Fetahu.

Ky projekt do të përfshijë vendet si Lluzhan- Lupç i Poshtëm, Lluzhan- Podujevë- Bradash, Lluzhan- Llugofc dhe Llugë- Sfeqël.

Përveç votimit të këtij propozimi Kuvendi Komunal gjithashtu votoi edhe propozimin e vendimit për destinimin e paluajtshmërive për ndërtimin e Impiantit për trajtim biologjik të ujërave të zeza në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës./Llapi.info