Në mbledhjen e jashtëzakonshme e cila u mbajt sot, Kuvendi Komunal i Podujevës me 20 vota për, 4 kundër dhe 9 abstenime ka miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore të Komunës së Podujevës për vitin 2016, shkruanLlapi.info.

Drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se ky rialokim është bërë për shkak të tepricës së mjeteve në disa projekte dhe mungesës së mjeteve në disa projekte tjera.

“Bazuar në ligjin për financa publike neni 30 pika 2 kemi paraqit para juve një propozim për alokim të buxheteve gjegjësisht për një rregullim të buxhetit komunal për vitin 2016 dhe kemi qenë të detyruar për shkak se në disa projekte kemi pas në bazë të buxhetit tepricë të mjeteve ndërsa në disa projekte tjera ka pas mungesë të mjeteve në bazë të buxhetit. Kështu që me këtë rialokim gjegjësisht me këtë rregullim krijohen kushte që të gjitha kontratat të jenë të balancuara dhe të ketë mjete të mjaftueshme që punët e ekzekutuara deri në fund të vitit edhe të bëhet pagesa e tyre”, tha ndër të tjera Latifi.

Këtë rialokim e përkrahu pozita mirëpo jo edhe opozita pasi që këta të fundit kanë bërë vërejtje për rialokimin e këtyre mjeteve.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rafet Llapashtica tha se ata si grup parlamentarë do të abstenojnë në votimin për miratimin e këtij vendimi.

“Kemi menduar që nuk ka qenë një planifikim ekzakt për arsye se ka shuma deri në 50% të parapame p.sh te shëndetësia një projekt ka dal suficit 50 mijë euro prej 100 mijë euro sa janë paraparë për mamografi. Ndryshe si rialokim grupi parlamentar i PDK-së do të abstenoj me votën e vet për arsye që drejtoritë në të ardhmen planifikimet t’i bëjnë më të përafërta me buxhetin rreth rialokimit”.

Përveç PDK-së vërejtje në rialokimin e mjeteve buxhetore për vitin 2016 pati edhe Lëvizja Vetëvendosje. Haki Rudari nga radhët e kësaj partie tha se për këtë rialokim janë dy çështje që duhet të diskutohen.

“Grupi i këshilltarëve të LVV-së e ka analizu në mbledhjen e djeshme që kemi mbajt saktësisht rialokimin e mjeteve dhe kemi ardhur në përfundim se këtu janë dy çështje që duhet të diskutohen. E Para vazhdimisht po përsëritet rialokimi i mjeteve dhe kjo tregon se po mungon një program qeverisës i saktë dhe i kompletuar. Vërejtja e dytë qëndron te ana teknike e rialokimit të mjeteve, prapë vazhdohet me ato të vjetrat pa specifikim vetëm arsyetim në kuptimin matematikor se këto buxhete do të shkojnë këtu apo atje. Nuk është mirë t’i kemi vetëm shumën e mjeteve por është mirë t’i specifikojmë ku shkojnë këto mjete në mënyrë që ne si këshilltar kur të dalim në takim me qytetarë ta kemi më të saktë”, tha Rudari duke specifikuar më tutje pikat ku nuk pajtohet me këtë rialokim.

Ndërsa, drejtori i drejtorisë për Shërbime Publike, Faik Muçiqi, tha se ridistinimi i këtyre mjeteve është bërë në bazë të kornizave ligjore.

“Po mos të kishte nevojë për ridistinim nuk do të parashihej me ligj, çdo komunë, çdo ministri bënë ridistinim dhe bëjnë deri në shumën 15%. Ridistinimi ynë është shumë i vogël edhe më i vogël se i viteve të kaluara, që do të thotë se planifikimet kanë qenë shumë më të sakta dhe se asnjëherë planifikimet nuk mund të sjellin saktësinë e plotë aty e rregullon vetëm ligji i tregut”, tha ndër të tjera Muçiqi./Llapi.info