Analisti politik, Shkëlzen Gashi, ka ironizuar të mërkurën me ata që kërkojnë zbatimin e kërkesave amerikane nga Qeveria e Kosovës.
Gashi e ka përmendur deklaratën e një analisti, emrin e të cilit nuk ia ka përmendur që “nëse na kërkon Amerika me kcy prej katit 12, na duhet me kcy”, ka thënë analisti, sipas Gashit.
“Pyetja jeme osht: kryeministër, a kcen ti prej katit 12 nëse ta kërkon amerika? na trego, të lutem. nëse nuk kcen, çil rrugë kryeministër, e t’i kthejmë në pushtet ata që kcejnë prej katit 12”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Shkëlzen Gashi gjatë debatit të së hënës në Pressing, ka thënë se kërkesat për anulimin e vendimit të targave dhe themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe fillimisht janë kërkesa të Serbisë.
Ai thotë se më pas bashkësia ndërkombëtare si ndërmjetësuese i adreson kërkesat te Kosova..
Ka thënë se me Qeverinë Kurti pajtohet për çështjen e dialogut me Serbinë, por jo edhe në shumë sfera të qeverisjes së brendshme.