Këto ditë, shtypi i Beogradit njoftoi për emërtimin e bulevardit të ri në projektin e madh “Beogradi mbi ujë” buzë Savës − që është investimi më i madh i Emirateve Arabe në Serbi − me emrin e presidentit të 28-të amerikan, Woodrow Wilson (1913-1921). Në momentin e parë duket si një lajm që sjell befasi. Pra, përse serbët tani janë mirënjohës për presidentin Wilson ?

Vërtet kjo iniciativë erdhi në kohën që ka domethënie të madhe, përkatësisht në 100-vjetorin e formimit të Jugosllavisë më 1 dhjetor 1918. Përgatitjet në Beograd filluan me kohë për 100-vjetorin.

Kështu, më 25 maj u promovua libri në dy vëllime “Histori e një utopie”, ku janë përmbledhur studime të historianëve me pikëpamje të ndryshme rreth formimit dhe shkatërrimit të Jugosllavisë, duke përfshirë rolin e elementit të jashtëm.

Gjatë studimeve tona në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës gjithnjë është theksuar teza se “Jugosllavia është krijesë e Versajit”, ndaj e kemi quajtur gjithnjë “Jugosllavia e Versajit”. Mirëpo, kohëve të fundit u zbuluan shumë dokumente dhe u botuan disa libra në anglishte që ndriçuan ndryshe prapavijën e formimit të Jugosllavisë më 1 dhjetor 1918.