Receta e gjellës së patateve me mish është ndoshta më popullorja mes amvisave shqiptare. Veçanërisht tani në dimër kur organizmi kërkon ushqime të ngrohta kjo është pjata më perfekte për të shijuar pasi është shije plotë dhe e pasur në proteina e vlera ushqyese.

Por edhe kjo recetë megjithëse e thjeshtë ka disa sekrete të vogla, detaje të cilat e bëjnë përgatitjen e saj të ketë shije perfekte.

Këto detaje, AgroWeb.org i sjell më poshtë në mënyrë që përgatisni gjellën më të shijshme me patate dhe mish.

Përgatitja e Mishit me Patate
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4-5 thela mish vish viçi ose qengji sipas dëshirës

1 kg patate

2 karrota

4 kokrra domate të pjekura mirë

Vaj Ulliri

1 kokërr qepë

Piper i zi pluhur

Kripë

Majdanoz i freskët

Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të qëroni patatet.

Një nga detajet e kësaj recete është prerja e patateve, ato nuk duhet të priten të holla ose në formën që i presim kur përgatisim patate të skuqura.

Kur përgatiten për gjellë, patatet nëse janë në madhësi mesatare priten në katër pjesë dhe nëse janë të mëdha atëherë në gjashtë pjesë.

Një tjetër detaj është edhe salca e domates, gjella bëhet më e shijshme kur salcën e përgatisni vetë me domate të pjekura shumë.

Domateve largojini me kujdes cipën dhe grijini në rende derisa masa të bëhet si pure domatesh.

Ndërkohë, vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni aty vajin e ullirit vendosni copat e mishit dhe kaurdiseni nga të dyja anët për 2-3 minuta.

Më pas shtoni aty qepën e grirë hollë bashkë me karrotat e prera të rrathë me nga 1 cm.

Vijoni t’i kaurdisni për pak dhe më pas shtoni patatet, kaurisini të gjitha bashkë për 2-3 minuta e më pas salcën e domateve që keni përgatitur vetë.

Trazojini dhe lërini përdisa minuta derisa volumi i salcës të bjerë pak.

Shtoni kripë, pak piper të zi dhe shtoni ujë derisa mishi me patatet të mbulohen dhe lërini të ziejnë në zjarr të ngadaltë. Ky është një tjetër detaj i rëndësishëm, pasi zjarri i ngadaltë i jep një përgatitje më të mirë gjellës.

Lëreni të ziejë derisa mishi të zbutet mirë dhe gjella të mbetet jo me shumë lëng.

Në fund, pasi gjellën ta keni hequr nga zjarri shtoni majdanozin e grirë hollë, i cili do të plotësojë shijen e gjellës përmes aromës së tij të freskët dhe mrekullueshme.