Një ditë më parë është kthyer mbrapa një ekip i mjekëve nga Serbia, i cili ia kishte mësyrë Kosovës, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se arsyeja pse ekipi i mjekëve serbë nuk është lejuar të hyjë në Republikën e Kosovës është se ka pasur paqartësi rreth qëllimit të ardhjes së tyre në Kosovë.
Ekipi i mjekëve nuk ishte lejuar të hyjë në pikën kufitare të Merdares.
“Arsyeja pse një ekip i mjekëve nga Serbia nuk është lejuar të hyjë në Republikën e Kosovës është se ka pasur një paqartësi/keqkuptim rreth qëllimit të ardhjes së tyre në Kosovë, nuk e kanë sqaruar nëse vijnë për të punuar si profesionistë të huaj shëndetësor apo për vizita monitoruese shëndetësore. Nëse të njëjtit kanë dashur të punojnë përkohësisht në Kosovë, ata duhet të respektojnë rregullat e licencimit të profesionistëve të huaj shëndetësor dhe një nga këto rregulla është anëtarësimi individual i tyre në Odën e Mjekëve të Kosovës, krahas procedurave të tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Telegrafi.
MSH-ja sqaroi se në rast se vijnë në Kosovë për monitorim periodik të gjendjes shëndetësore në komunat e banuara me shumicë nga komuniteti serb, ata lejohen të hyjnë në Kosovë, pas verifikimit të dokumentacionit të tyre, sikurse qytetarët e tjerë, dhe me një lehtësim se nuk i nënshtrohen karantinës si profesionistë shëndetësor, sipas rregullave që vlejnë për karantinën që janë 5, prej të cilave njëra liron mjekët nga karantinimi.
Ndryshe, pas kthimit të mjekëve serb në Merdare ka reaguar e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Sot, pas disa ditësh të fushatës irracionale dhe histerike kundër punonjësve shëndetësorë serbë, Prishtina bëri veprimin e i paimagjinueshëm, duke ndaluar një grup prej 20 mjekësh dhe infermierësh nga Serbia të hynin në Kosovë”, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.