Pasditën e së dielës, mjeku me inicialet A.B. (emër i njohur për redaksinë), u sulmua fizikisht nga një person, duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe buzë, raporton Llapi.info.

E gjithë ngjarja ndodhi për shkak të kërkesës së të dyshuarit për ta kontrolluar një familjare të tij, teksa mjeku ishte duke u kujdesur për disa pacientë të tjerë.

Llapi.info, përkundër që nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës – për shkak të mospërgjigjes nga ana e tyre, ka biseduar me një nga punëtorët e Emergjencës, i cili ishte prezent në momentin kur u sulmua mjeku dhe shpjegoi situatën se si kishte ndodhur.

Ai në kushte anonimiteti thotë se mjeku i sulmuar ishte duke i kontrolluar disa pacientë të tjerë në dhomën numër 3 të Emergjencës, ku brenda u fut i dyshuari me kërkesën që të shkonte në një dhomë tjetër dhe ta kontrollojë nënën e tij.

Në momentin kur mjeku i thotë se duhet të pres deri t’i përfundojë pacientët, i dyshuari e godet me grusht në fytyrë, duke ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Mjeku i sulmuar ishte duke kontrolluar një pacient në dhomën nr.3, kur një person iu drejtua me fjalët; hajde në dhomën 1 e pruna nanën edhe kontrollo. Në momentin kur mjeku ia ktheu fjalët; këtu duhet ta sjellësh, i dyshuari e ka sulmuar me boks, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe buzë. Ai menjëherë ka ikur nga ndërtesa e Emergjencës”, rrëfeu një nga punëtorët e Emergjencës në kushte anonimiteti.

Rasti është raportuar në Polici, e cila është duke u marrë me rastin./Llapi.info

Podujevë: Personi që sulmoi fizikisht mjekun në Emergjencë ik nga vendi i ngjarjes – Policia në kërkim të tij