Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka shfaqur besimin se ka një mundësi realiste që mes Kosovës dhe Serbisë të gjendet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve shpejt, duke shtuar se ndien se është koha që përfundimisht t’i jepet fund konfliktit.

“Mendoj se ekziston një mundësi realiste për presidentët (Aleksandar) Vuçiq dhe (Hashim) Thaçi për të arritur një marrëveshje për të gjitha çështjet e hapura mes Beogradit dhe Prishtinës, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për të normalizuar marrëdhëniet mes dy palëve, një marrëveshje e cila është krejtësisht në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe e cila mund të kontribuojë në stabilizimin e tërë rajonit”, tha Mogherini sot para ambasadorëve të shteteve anëtarë të BE-së në Bruksel, raporton Koha.net.

Ajo tha se BE-ja duhet të vazhdojë punën e saj në Ballkan dhe me Ballkanin me përkushtimin, këmbëngulje dhe kokëfortësi. “Viti i fundit ka qenë jashtëzakonisht shumë intensiv dhe muajt e ardhshëm do të jenë edhe më vendimtarë”, shtoi ajo.

Mogherini kujtoi se vitin e ardhshëm është 20 vjetori i luftës së Kosovës. “Besoj se është koha që përfundimisht t’i japim fund konfliktit. Besoj se duhet bërë gjithçka është e mundur së bashkua me partnerët tanë në Evropë, në rajon dhe në skenën ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të mbështetur negociatat përmes dialogut dhe përbrenda komunitetit ndërkombëtar”, potencoi Mogherini.