Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka folur sot për takimin e djeshëm mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq, në të cilin ajo ishte ndërmjetësuese.
“Dje kishim një takim shumë të mirë të nivelit të lartë të përfaqësimit mes Prishtinës dhe Beogradit, një takim i vështirë, por inkurajues”, u shpreh Mogherini.
Ajo tutje shtoi se Bashkimi Evropian tani duhet të jetë i qëndrueshëm dhe të përmbush premtimet e veta, si dhe të ketë parasysh që Ballkani Përendimor ka arritur një progres të jashtëzakonshëm, e sidomos me marrëveshjen e fundit për emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, transmeton lajmi.net.
Vlen të theksohet se takimi i djeshëm mes Thaçit dhe Vuçiq, ishte i dyti këtë vit i të njëjtit format, ndërkaq që është takimi i parë në kuadër të fazës finale të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi.
Pas këtij takimi, Thaçi deklaroi se pa arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve nuk do të ketë integrim në Bashkimin Evropian për asnjërën palë, ndërkaq Vuçiq tha se populli serb dhe ai shqiptar, me ndihmën edhe të shteteve të tjera ndërkombëtare duhet ta pajtohen dhe të arrihet sa më shpejtë një zgjidhje.