Ish-bashkëpartiakët Dardan Molliqaj dhe Glauk Konjufca kanë vazhduar me përplasje në Kuvendin e Kosovës.

Molliqaj, tash deputet i Partisë Socialdemokrate, në fjalimin e tij e kritikoi ish-partinë se po bën lojë me deklaratat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Ai kërkoi nga VV-ja sqarime për qëndrimin ndaj Listës Serbe.

“Merrni nënshkrimet e Listës Serbe dhe ne menjëherë do t’u japim nënshkrimet tona për ta rrëzuar këtë qeveri. Mos nisni me lojëra politike, por nëse pranoni që me votat e tyre ta rrëzoni niseni mocionin”, ka thënë Molliqaj, ndërsa ka shtuar se VV-ja po bën koalicion me PDK-në e LDK-në në komunën e Prishtinës kundër kryetarit Shpend Ahmeti, edhe pse VV-ja udhëheq me tri drejtori.

Për këtë ka reaguar deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, që ka thënë se Molliqaj është ai që po mundohet ta shkatërrojë Vetëvendosjen dhe se rrëzimi i qeverisë është më pak i rrezikshëm sesa të “lihet që të bëhet statuti i ‘Zajednicës’.

“Sa i përket qeverisjes në Prishtinë, Shpend Ahmeti s’është më në VV. Ai është kryetar i PSD-së. Më nuk ka obligim ndaj programit të VV-së, me të cilën mblidhte vota. Më nuk do ta ledhatojmë. Mundet me ju ardhë pak zheg, por mësojuni me këtë fakt”, ka thënë Konjufca.