Deputeti i Grupit të Pavarur, Dardan Molliqaj, në seancën e thirrur për të diskutuar deportimin e gjashtë gylenistëve, thotë se duke ia dorëzuar shtetasit turq, Presidenti Hashim Thaçi i ka kryer një favor Erdoganit. Ndryshe nga grupet tjera parlamentare, Molliqaj nuk thotë se janë shkelur të drejtat e njeriut duke u kidnapuar gylenistët dhe qëndron krejtësisht neutral rreth kidnapimit të tyre. Deputeti thotë se grupi i tij parlamentar kanë vërejtje edhe për veprimtarinë e gylenistëve

Molliqaj thotë se lufta mes gylenistëve dhe Erdoganit nuk duhet ta përfshijë Kosovën, e ai nuk ka kritika për mënyrën se si janë dëbuar turqit.

Siç thotë deputeti i GDP-së, problemi i tij i vetëm është se presidenti Thaçi e ka përdorur ligjin e Kosovës për t’i kryer favor Erdoganit.

“Unë e kam një problem se unë besoj se z. Thaçi e ka përdorë ligjin e Kosovës. Motivet janë problematike. Një problem mes rrymave në Turqi janë bërë probleme në Kosovë. Hashim Thaçi i shërben gjithkujt prej të cilit fiton. Ai i ka shërbyer Erdoganit”.

Nga ana tjetër, Molliqaj nuk e ka as hallin e gylenistëve të deportuar. Ai thotë se lufta mes rrymave në Turqi nuk duhet të zhvendoset edhe në Kosovë.

Mollqaj përmend shkrime të disa mediave në Kosovë të cilat kanë shkruar se gjoja gylenistët e deportuar nuk kanë qenë të pastër para ligjit, duke i theksuar financimet dhe rekrutimet që shtetasit turq kishin bërë.

“Unë jam fort i bindur që Thaçi i ka bërë favor Erdoganit. Ai po e fut Kosovën në beteja që nuk i takojnë për interesa personale”.

“Ne nuk jemi as me Erdoganin e as me gylenistët dhe ky është qëndrimi ynë”, është shprehur Molliqaj. /Express/