Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur rreth Qeverisjes së Kurtit të cilës iu ka referuar si qeverisje që synon kontrollin, shantazhin e kapjen. Sipas tij, qeverisja aktuale nuk është e majtë dhe veprimet e para të saj tregojnë mendësinë totalitare e rrezikun drejt autoritarizmit.

Molliqaj ka thënë se edhe tentimi për ta ndryshuar ligjin për zgjedhje dhe koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë janë sinjale që Kurti synon të shantazhoj opozitën.

“Qeverisja aktuale veç e majtë nuk është. Indikacionet e veprimeve të para veçse e konfirmojnë kritikën tonë për mendësinë totalitare e rrezikun drej autoritarizmit. Çfarë e bashkon veprimin urgjent të mesnatës për ta ndryshuar ligjin për zgjedhjet me koncept-dokumentin për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme është pikërisht synimi për kontroll”, tha Molliqaj në intervistën për Reporteri.net.

Sipas Molliqajt kryeministri aktual nuk po qeverisë si i majtë pasiqë ua ndaloi shtesat pensionistëve, policëve, infermierëve e mjekëve.

VV nuk e konsideron problem sistemin që ka krijuar pabarazi, por batakqinjtë që paskan vjedhur. Prandaj s’kemi tatim progresiv as investime publike, por vendin e ekonomisë e ka zënë lufta antikorrupsion. Në anën tjetër, ministrat e sektorit të ekonomisë e kanë të deklaruar publikisht bindjen e tyre të djathtë. Praktikat e para të politikave të shtrëngesave buxhetore që bie mbi shtresat më të pambrojtura tashmë i kemi parë. E kam fjalën për shkurtesat e pensioneve, tek shkurtesat e policëve, infermierëve e mjekëve. Në anën tjetër, çfarë shohim si sjellje e ushtrim pushteti është arroganca e kolonave me xhipa e truproja”, tha Molliqaj