Dalin pamjet tronditëse në momentin kur është kapur dhe neutralizuar autori i plagosjes së 5 personave në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë.
Të plagosurit janë: Amri Tola, 23 vjeç, Donard Koçi, 35 vjeç, Kleon Jaupaj, 26 vjeç, Mariglen Konja, 24 vjeç dhe Sebah Peposhi, 22 vjeç.
Nga pamjet shfaqet momenti i kapjes së autorit, 34 vjeçarit Rudolf Nikolli nga Burreli, fillimisht nga vetë besimtarët që ndodheshin pranë xhamisë.
I dyshuari Rudolf Nikolli
34 vjeçari që plagosi pesë persona me një mjet prerës, pasi u ndalua prej tyre, goditet me shkelma dhe me karrige si një revoltë ndaj sulmit që ai ka bërë ndaj besimtareve brenda në xhami.
Ai u prangos nga policia, teksa shfaqej i gjakosur.
Ngjarja e rëndë dhe tronditëse ndodhi mesditën e kësaj të hënë para xhamisë te Rruga e Kavajës. Ende nuk janë zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë dhe tronditëse për kryeqytetin.
Imami Ahmed Kalaja përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjete sociale dha informacione në lidhje me sulmin e ndodhur në ambientet e xhamisë te rruga e Kavajës.
Kalaja bën me dije se u sulmuan 5 persona mes të cilëve pjesë e stafit të xhamisë dhe disa besimtarë, raporton Noa.
Imami Ahmet Kalaja: Shpresojmë që mos të ketë një akt terrorist, por shpresojmë të ketë qenë një njeri me të meta mendore. Shpresojmë që për punë orësh xhamia të kthehet në gjendjen e mëparshme.
Janë plagosur disa vëllezër nga stafi i xhamisë, dhe disa besimtarë të cilin kishin ardhur për të adhuruar Zotin.
I lutemi Zotit që personi të marrë dënimin e merituar. Paqja qoftë mbi ju.