Gjykata Themelore e Ferizajt e ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit.
Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm e Sejdiu me 15 vjet burgim.
Në momentin kur kryetari i trupit gjykues e shpalli aktgjykimin, në sallë shpërthyen duartrokitjet e brohoritjet “bravo”. Aty u dëgjua edhe një grua, e cila iu drejtua Krivaqës me “o i mjerë”, raporton Express.
Krivaqa e Sejdiu akuzoheshin edhe për dhunim dhe ndihmë në kryerje të dhunimit, por Gjykata i ka liruar nga akuza, “meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale.”.
“I akuzuari Dardan Krivaqa lirohet nga akatkuza për veprën penale “Dhunimi”, meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale. I akuzari Arbër Sejdiu lirohet nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerje të veprës penale Dhunimi”, meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.