Delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës kanë filluar bisedimet e sotme të paqes në Jeddah
Kievi po përfaqësohet në bisedime nga ministri i jashtëm Andriy Sybiha dhe ministri i mbrojtjes Rustem Umerov.
Teksa në anën e tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio është zyrtari më i lartë i SHBA-së në bisedime.
“Ukraina do paqe dhe është e gatshme të negocioj t’i jap fund kësaj lufte”, thotë këshilltari më i lartë i Presidentit Zelensky.
Kievi gjithashtu pritet të shtyjë SHBA-në drejt rifillimit të ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të inteligjencës pasi Uashingtoni i ndërpreu të dyja javën e kaluar.
Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio sugjeroi se të dy aspektet e mbështetjes ukrainase mund të rifillojnë nëse Kievi angazhohet për një proces paqeje.
Rubio tha se pezullimi fillestar i ndihmës erdhi sepse siç thotë ai, “ne ndjemë se ukrainasit nuk ishin të përkushtuar” në negociatat për t’i dhënë fund luftës.
Ai tha se nëse kjo ndryshon, politika e SHBA ka të ngjarë të ndryshojë gjithashtu.
“Shpresoj se do të kemi një takim vërtet të mirë nesër dhe do të jemi në një vend tjetër”, shtoi ai.
Ka pasur reagime edhe nga Evropa.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, tha se rendi i sigurisë evropiane po tronditet, me qëndrimin gjithnjë e më agresiv nga Rusia dhe ndryshimin në politikën e mbrojtjes së SHBA-së.
“Disa besonin se Rusia mund të integrohej në arkitekturën ekonomike dhe të sigurisë të Evropës. Të tjerë shpresonin se ne mund të mbështeteshim pafundësisht në mbrojtjen e plotë të Amerikës. Koha e iluzioneve ka mbaruar”, tha ajo.
Edhe kryeministri polak, Donald Tusk postoi në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e bisedimeve të sotme SHBA-Ukrainë në Jeddah.
“Të dashur amerikanë, të dashur ukrainas, mos e humbisni këtë shans. E gjithë bota po ju shikon sot në Jeddah. fat të mirë!”, shkroi ai.