Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët e vendit se është duke shqyrtuar me seriozitet rastet e qytetarëve të cilët kanë hasur në vështirësi qarkullimi me patentë-shoferët e Republikës së Kosovës, gjatë kalimit të tyre nëpër territorin e Serbisë. Me këtë rast atyre u është kufizuar liria e lëvizjes.
“Me marrëveshjen e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2011, në kuadër të lirisë së lëvizjes, u mundësohet qytetarëve të udhëtojnë lirshëm me patentë-shoferët e shtetit përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pika e pestë e kësaj marrëveshjeje thotë: “Secila palë do të marrë të gjitha masat që t’ua mundësojë qytetarëve të palës tjetër të udhëtojnë lirshëm brenda dhe përmes territorit të njëra-tjetrës me patentë-shoferin e lëshuar nga autoritetet e veta”.
MPB kërkon nga të gjithë qytetarët e RKS që lëvizin me veturë nëpër territorin e Serbisë të cilët kanë hasur në situatat e tilla, të lajmërohen në policinë kufitare ose në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, qytetarët mund të kontaktojnë me Ministrinë e Punëve të Brendshme përmes këtyre kontakteve: [email protected]; 038 200 19 545 apo 045 149 111.