Radio Televizioni i Serbisë ka njoftuar se shteti i Liberisë e ka anuluar vendimin për njohjen e Kosovës për shkak të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Liberia ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Ndërkohë që MPJ-ja thonë se kjo është gënjeshtër dhe propagandë e Beogradit.

Media serbe thotë se posedojnë notën e dërguar zyrtarisht nga Liberia, që, sipas tyre, thuhet se Liberia ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës deri në fund të dialogut dhe marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, Gazeta Express ka kontaktuar me këshilltarin e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, i cili ka thënë se ky lajm nuk qëndron.

Ai ka thënë se Serbia po manipulon me propagandë në radhë të parë popullin e vet, “ndërkaq Kosovën nuk mundet ta ndalë për asnjë moment, as me përpjekje të dëshpëruara të kësaj natyre”.

“Ne presim ditëve që ambasadori ynë të dorëzojë letrat kredenciale te presidenti i Liberisë ngase e kemi konfirmimin zyrtar që ky shtet ka pranuar ambasadorin tonë si ambasador jorezident”, ka thënë Zyberaj për Express.

Lajmet e tilla në mediat e Serbisë ai i ka quajtur propagandë serbe.

“Serbia propagandoi për Guinenë Bissau njësoj, ndërsa Kosova akreditoi ambasadorin e vet në këtë shtet. Serbi propagandoi për Ganën ndërsa ambasadorja ganeze u akreditua në Kosovë si ambasadore fuqiplotë”, ka thënë Zyberaj.

Ndryshe, shteti i Liberisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 30 maj të 2008-s.