Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se publikimi i emrave të diplomatëve të Republikës së Kosovës që janë në detyrë dhe në proces të përfundimit të misionit diplomatik është i pamatur dhe i papranueshëm.
Kështu bëhet e ditur në një komunikatë për media nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ).
Sipas tyre, MPJ është në proces të planifikimit të rotacionit dhe që nga fundi i vitit të kaluar janë përcjellë vendimet për kthim të diplomatëve.
“MPJ ka marrë parasysh faktin se një pjesë e tyre janë familjarë dhe fëmijët e tyre duhet të përfundojnë procesin e mësimit, para se të kthehen për shërbim në Ministri apo të lëvizen paralelisht në misione të tjera të lira. Përgatitjet për kthim do të bëhen në sekuencë, sipas vendimeve që janë lëshuar dhe asnjë lloj presioni publik apo i çfarëdo natyre nuk do të ndikojë në rotacionin e planifikuar mirëfilli dhe në mbështetje të legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Siç thuhet në komunikatë, MPJ po punon paralelisht në identifikimin dhe dërgimin e diplomatëve nga MPJ në misione.
“Gjithnjë në kuadër të procesit të rotacionit, MPJ po punon paralelisht në identifikimin dhe dërgimin e diplomatëve nga MPJ në misione, duke përfshirë ata që ende nuk kanë shërbyer jashtë vendit dhe të tjerë që kanë shërbyer dhe tash e disa vite shërbejnë brenda në MPJ. Emërimi për shërbim në misione diplomatike jashtë vendit, kthimi në MPJ apo lëvizja paralele e diplomatëve nga një mision në një tjetër është aktivitet rotativ. MPJ do të përpiqet që këtë procedurë ta funksionalizojë në mënyrë të natyrshme, në të mirë të shërbimit, respektivisht politikës kadrovike dhe në funksion të interesave të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MPJ-së.