Arrestimi i Fahri Jusufit në Serbi ka angazhuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Nga MPJ për Gazetën Express thonë se po e përcjellin këtë rast dhe në vazhdim do të marrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme. MPJ bëri të ditur se Fahri Jusufi pati një urdhër arrest të lëshuar nga Serbia
Kandidati për asamble të Komunës së Mitrovicës, 54-vjeçari Fahri Jusufi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është arrestuar të dielën nga Policia serbe në pikën kufitare në Rudicë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Sami Kastrati, Drejtor i Komunikimit në MPJ ka thënë se shtetasi kosovar ndodhet në mbajtje në Kralevë në bazë të një ndalese të mëhershme.
“Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi konfirmon ndalimin e një shtetasi kosovar me datë 24 Qershor, në pikën kufitare në Rudnicë”, tha Kastrati.
MPJ thotë se nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Serbi është duke e përcjellë nga afër këtë rast dhe do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet respektive.
Motivi i arrestimit të Jusufit ende nuk dihet, mirëpo lajmi është konfirmuar edhe nga policia.