Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës rikonfirmon nivelin e marrëdhënieve shumë të mira në mes Kosovës dhe Ganës, të cilat kanë shënuar vetëm ngritje, që nga koha e njohjes së pavarësisë sonë nga ky shtet në vitin 2012.
MPJ rikujton se veç komunikimeve të rregullta në nivelin e lartë ndër-shtetëror, ndërtimit të urave të miqësisë në mes dy popujve dhe hapjes së mundësive të reja në mes dy vendeve, në muajin qershor të këtij viti është akredituar edhe Ambasadorja jo-rezidente e shtetit të Ganës në Kosovë, Salma Frances Mancell, raporton Koha.net.
“MPJ vlerëson se raportimet e tjera jashtë frymës së marrëdhënieve të mira dhe të qëndrueshme në mes Kosovës dhe Ganës janë thjeshtë vazhdim i propagandës serbe me lajme të rreme”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Sot gjatë ditës, Ministrja e Punëve të Jashtme e Ganës, Shirley Ayorkor Botchway, ka deklaruar në Beograd se vendi i saj do ta shqyrtojë vendimin e vet nga viti 2012 për njohjen e pavarësisë së Kosovës.