Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli sot mori pjesë në ndarjen e 30 çertifikatave për të rinjtë me sindromin down në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve me sindromën Down”, projekt ky i nënshkruar muaj më parë në mes MPMS dhe Shoqatës “Down Syndrome Kosova”.
Synimi i këtij projekti ishte përkrahja dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale për të rinjët me sindromën down e më pastaj duke mundësuar edhe punësime për nevojat e kësaj kategorie në shoqërinë tonë. Këto trajnime janë mbajtur në tri qendrat më të mëdha të aftësimit profesional në Kosovë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë.
Makolli vlerësoi se roli i shtetit për personat me nevoja të veçanta është që atyre t’ju mundësojë arsim dhe forma të tjera të aftësimit profesional, pajisje të punës me mjete të nevojshme, përdorimin e shërbimeve me asistent kur është e nevojshme, dhe materialisht të stimulojë punësimin e tyre në një masë të pranueshme dhe t’i detyrojë punëdhënësit për punësimin e tyre.
Drejtoresha e kësaj shoqate, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se ky projekt është përmbyllur me sukses, sepse edhe personat me sindromën down kanë potencial dhe kurajo, mirëpo kanë nevoj për më shumë mbështetje. Poashtu falemnderoi Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për bashkupunimin e deritanishëm me këtë shoqatë.
Prezente në këtë takim ishte edhe përfaqësuesja e GIZ-it –Departamenti i Aftësive Rinore dhe Punësimit znj. Julia Becker, ku tha se qëllimi i këtij projekti është që këta persona të integrohen sa më shumë në vende të punës sepse është kënaqësi e madhe kur në fytyrat e tyre ka buzëqeshje.