Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e rregullt, të mbajtur sot, ka miratuar kërkesën e Kryetarit të Komunës për nismën për themelimin e bashkëpunimit ndërkomunal, vendimin për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2018 në vitin 2019 dhe destinim në kategori të caktuara buxhetore, Raportin financiar për vitin 2018 dhe vendime të tjera me interes, transmeton Llapi.info
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.
Fillimisht në mbledhjen e sotme ka bërë betimin solemn këshilltari Bunjamin Hoti nga radhët e LDK-së, i cili është certifikuar nga KQZ-ja, në vend të ish-këshilltarit Mirsad Kamerolli.
Para se të procedohej me miratimin e rendit të ditës, këshilltarët e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë braktisur mbledhjen e sotme, duke marrë si pretekst mos pjesëmarrjen e Kryetari të Komunës në mbledhje.
Kuvendi, meqë kishte kuorumin e nevojshëm, ka vazhduar punimet duke miratuar pikat e propozuara për këtë mbledhje.
Pas shqyrtimit të nismës së Kryetarit të Komunës për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal, kuvendi ka miratuar vendimi për miratimin e Kërkesës – Nismës për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal; vendimi për Autorizimin e Kryetarit të Komunës për fillimin e konsultimeve për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal.
Në mbledhjen e sotme drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, prezantoi informatën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për punët dhe aktivitetet gjatë vitit 2018.
Lidhur me pikën e tretë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, arsyetoi propozimin e vendimit për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2018 në vitin 2019 dhe destinim në kategori të caktuara buxhetore.
Drejtori Latifi tha se të hyrat vetanake të pashpenzuara të Komunës së Podujevës, në vitin 2018 janë në një shumë prej 673, 963.00 euro dhe të njëjtat barten në projekte të financuara në vitin e kaluar, e që janë bartur në vitin buxhetor 2019.
Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2018 në vitin 2019 dhe destinim në kategori të caktuara buxhetore.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, në mbledhjen e sotme prezantoi Raportin financiar për vitin 2018.
Në bazë të raportit financiar shpenzimet totale për periudhën janar-dhjetor janë realizuar në shumën prej 17.719,674 euro nga granti qeveritar, apo 94 për qind; nga të hyrat vetanake janë shpenzuar 643,913 euro, ose 3.43%, kurse të hyra vetanake të bartura nga viti 2017 janë 286, 441 euro, ose 1.53%; si dhe janë shpenzuar 141,141 euro nga donatorët e jashtëm, apo 0.76 %.
“Buxheti i alokuar për vitin 2018 ka qenë 21,058, 978 euro, që do të thotë se buxheti i shpenzuar është 89.24%”, tha drejtori Latifi.
Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Adnan Zymberi, e ka përkrahur Raportin financiar për vitin 2018, duke vlerësuar se dokumenti është pasqyrë e projekteve të realizuara dhe mjetet e shpenzuara në kategori të ndryshme buxhetore.
Kuvendi me shumicë votash miratoi Raportin financiar për vitin 2018.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi miratoi edhe Planin e veprimit për transparencë për periudhën 2019 – 2023.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, në mbledhjen e sotme prezantoi raportin për punët dhe aktivitete e kryera të DSHMS gjatë vitit 2018.
Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, prezantoi informatë për aktivitetet dhe gjendjen në Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.