Kryetarët e komunave të Kosovës sot do mblidhen me Ministrinë e Shëndetësisë, për t’i diskutuar masat e reja anti-COVID, të paralajmëruara nga kjo e fundit.
KOHA ka mësuar se takimi do fillojë në orën 10:00 dhe do zhvillohet virtualisht. Të shtunën, Shoqata e Gastronomisë ka reaguar pas paralajmërimit për masat e reja, duke thënë se një vendim i tillë do të jetë arbitrar dhe i njëanshëm. Është paralajmëruar që masat do jenë për mbylljen e gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollave nga 6 deri më 18 prill.
“Ne kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë edhe më tutje çdo vendim që merret njëanshëm pa konsultim”, ka shkruar përfaqësuesi i gastronomëve, Petrit Kllokoqi të shtunën në Facebook.
Në anën tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se në takim me ministrat është bërë e ditur se bizneset që do preken nga masat e reja, do përkrahen financiarisht nga Qeveria.
Kjo përkrahje do bëhet për mbulim të shpenzimeve të qirave dhe pagave të punëtorëve.