Në Kuvendin e Podujevës, sot me shumicë votash është miratuar korniza afatmesme buxhetore 2020/22. Mirëpo, kritika për këtë pikë të rendit kanë dhënë këshilltarët opozitarë, pasi që sipas tyre, buxheti nuk është planifikuar siç duhet, njofton Llapi.info
Këshilltari i VV-së, Fitim Muçolli, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se Rinia, Kultura dhe Sporti në Podujevë është në gjendje kritike.
“Rinia llapjane është harruar nga Qeverisja e Agim Veliut. Duket se për ta u bie ndër mend vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve e në periudhën tjetër të rinjtë dhe aktivitetet e tyre nuk hynë fare në prioritet komunale duke i renditurë në fund në listës. Vetëm 1% e gjithë buxhetit që ka komuna e Podujevës është planifikuar të shpenzohet për Rini, Kulturë dhe Sport. Kjo gjendje e rëndë që është krijuar me kalimin e viteve ka sjellë edhe një degradim të përgjithshëm dhe gradual të Rinisë, Kulturës dhe Sportit Llapian, që sot ndodhet në një pikë kritike”, ka deklaruar Muçolli.
Sipas tij, vetëm 110 mijë euro janë ndarë për këtë drejtori, ani pse buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2020 do të jetë rreth 24 milionë euro.
“Shumë pak është menduar në këtë drejtim për Rinin, Sportin dhe Kulturën tonë që po vuan gjithnjë e më shumë. Nga afër 24 milionë euro sa do të jetë buxheti i komunës së Podujevës për vitin 2020, e 7 milionë investime kapitale sa janë paraparë për vitin 2020, vetëm 110 mijë janë në sektorin e rinisë, kulturës e sportit që i bie vetëm 1.56%. Mund te konkludojmë se në asfalt e kanalizime investohen rreth 30 herë më shumë se në Rini, Kulturë dhe Sport Këto tri kategori janë përfaqësuesit më të denjë të Llapit andaj duhet të trajtohen të tillë. Kërkoni atë që u takon”, thotë Muçolli./Llapi.info