Këshilltari në Kuvendin Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Muçolli, ka përmendur disa projekte të cilat, sipas tij, nuk janë finalizuar ende në këtë Komunë, transmeton Llapi.info

Muçolli përmes një postimi në ‘Facebook’, ka shkruar se një nga këto projekte është ai i ndërtimit të sheshit. Siç thotë Muçolli, rruga “Zahir Pajaziti”, nga keqqeverisja e Komunës së Podujevës i ka kushtuar 1 milion euro.

“Rruga e keqqeverisjes e cila i kushtoi 1 milion euro Komunës së Podujevës. Nga raporti financiar i vitit 2018 edhe njëherë na dokumentohet se kemi një nivel të lartë të keqqeverisjes. Shifrat e bëra publike nga ky raport nuk flasin, ato bërtasin. Disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore të Komunës së Podujevës përveq faktit se i kanë kushtuar miliona euro as sot nuk janë të finalizuara. Një ndër to është edhe projekti: Ndërtimi i sheshit “Sheshi i dëshmorëve” Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushefci, Ali Ajeti në qendër të qytetit”, ka shkruar Muçolli.

“Në projektin në fjalë ishin të planifikuara mjete buxhetore nga granti qeveritar 950,000 € dhe nga të hyrat vetanake 50,000 €, shuma e përgjithshme e projektit arrinë 1 milion euro. Si përfundim sheshi nuk u ndërtua”, ka vazhduar Muçolli.

Më tej, ai ka shtuar se Komuna e Podujevës ka humbur mbi gjysmë milion euro, siç e ka quajtur ai nga “keqqeverisja”.

“Në shtator të vitit 2018 nga buxheti i lartcekur i projektit “Sheshi i Dëshmorëve” rialokohen mjete buxhetore që arrinë shumën 703,700€ në kodin 44621 zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Zahir Pajaziti” dhe rrugës “Skënderbeu” në qytet me tërë infrastrukturën përcjellëse. Po në të njejtin projekt në kornizën afatmesme buxhetore për vitin 2018-2021 ishin të planifikuara 304,499 € shuma e përgjithshme e projektit arrinë 1,008,199 € ku prej kësaj shume janë shpenzuar vetëm 316,550 €, pjesa tjetër ka mbetur suficit. Pra miq të dashur nga këtu shihet qartë se kjo keqqeverisje dhe ky keqmenaxhim i ka humbur buxhet Komunës së Podujevës mbi gjysmë milion euro. Buxhetimi i këtillë është keqqeverisje, shpenzimi i këtillë është krim i dyfisht qeverisje”, ka përfunduar ai./Llapi.info