Sulmuesi më i mirë i Superligës së Kosovës për edicionin që lamë pas, Muhamet Hyseni ka bërë një postim lamtumirës në rrjetin social “Facebook”.
Ai në postimin e tij, përpos që njoftoi për klubin e tij të ardhshëm AC Horsens, ai po ashtu edhe falënderoi secilin nga trajnerët që kishin punuar me të gjatë karrierës së tij.
“Dua të falënderoj secilin mbështetës timin që më ka qëndruar afër, duke filluar nga aty ku mora hapat e parë në futboll, SHF Besiana, vecanti trajneri Besim Ajvazi dhe SHF Kurda, vecanti trajnerin Mehmet Kurda, si dhe trajnerët e mi të parë që më përgatitën që të jem këtu ku jam sot. Një falënderim për dy klubet e kaluara FC Malisheva dhe FC Feronikeli ’74, vecanti trajnerin Granit Begolli për kohën e kaluar”, thuhet në postimin e tij.
Tutje, sulmuesi llapjan, nuk la pa falënderuar edhe klubin e tij të vendlindjes, Llapin, nga i cili edhe bëri hapin e madh në karrierë.
“Një falënderim më i veçantë shkon për klubin e vendlindjes sime, KF Llapi, me të cilët pata sezonin më të mirë deri më tani. Mbështetja e klubit, kryesisë, trajnerëve, stafit të klubit, stafit mjekësor, ka bërë që të kem një sezon të mirë dhe të bëj hapin drejt arenës ndërkombëtare. Falënderoj kryetrajnerin Tahir Batatina për mbështetjen e pa rezervë ndaj meje dhe ndihmes trajnerin Blerim Bunjaku, pasi pa besimin e tyre dhe të trajnerëve të ekipit, nuk do isha këtu ku jam sot”, thuhet ndër të tjerash në postimin e Hysenit.
Muhamet Hyseni gjatë edicionit të kaluar arriti të shënojë 26 gola, gjersa po ashtu kontribuoi edhe me 6 asistime.