Oda Ekonomike Amerikane dhe Business Consultants Council (BCC) kanë nënshkruar sot një memorandum të bashkëpunimit, i cili do të shërbejë si urë lidhëse për krijimin e mundësive dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social.
Kjo marrëveshje do të gjenerojë mundësi të reja për industrinë e konsulencës dhe sektorit privat duke u përkthyer në aktivitete si organizime rrjetëzuese, avokimi dhe edukimi i roleve të standardeve dhe certifikimeve, fuqizimin, ngritjen e kapaciteteve dhe performancës të NVM-ve me programe profesionale, digjitalizimin sektorëve, industrive dhe proceseve të biznesit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është një shoqatë joqeveritare e themeluar nga anëtarët e saj me qëllim të përkrahjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve të përbashkëta ekonomike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
BCC është shoqata e vetme në Kosovë për etikë dhe profesionalizëm në tregun e konsulencës në Kosovë dhe tregun global në institutin e konsulencës menaxheriale ICMCI – që ngërthen 2 milionë konsulentë në mbarë botën.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se institucioni që ai përfaqëson, do të ofrojë përkrahje dhe është treguar i hapur për mundësitë e bashkëpunimit me shoqatën e vetme që përfaqëson konsulencën menaxheriale në Kosovë, Business Consultants Council.
Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për planifikimin e zhvillimit të Javës Globale të Konsulencës, që do shënohet në qershor 2019 nga BCC, si organizim paralel me 50 shtete të botës ku do të promovohet rëndësia e përzgjedhjes së konsulencës së specializuar.
Përfaqësuesit e dy institucioneve, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka dhe drejtoresha ekzekutive e BCC, Jehona Lluka, u dakorduan në ekzekutimin e pikave të përfshira në memorandum, të cilat do të inkurajojnë, promovojnë dhe mbështesin bashkëpunimin ekonomik ndërmjet anëtarëve të tyre, ekspertëve dhe ekipeve profesionale, me qëllim të interesit të përbashkët.