Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të mos i votojnë tri ligje, për të cilat tha se kanë për qëllim kapjen e institucioneve.

Ligjet që i përmendi Tahiri ishin për administratë shtetërore, shqyrtimi i dytë Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i dytë Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, që ishin pika të rendit të ditës.

“Si opozitë ne mendojmë që kjo mundet me qenë një ndër seancat më të dëmshme të kësaj legjislature. Kjo seancë siç po shihet ka mundësi t’i miratojë tri ligje të cilat në esencë e kanë veç një synim – kapjen e shtetit në mënyrë ligjore, kapjen e institucioneve të pavarura, të cilat mbikëqyren nga bordet respektive dhe të cilat do të krijojnë dëme afatgjate. Dua t’i them vetëm dy gjëra që mendoj se janë të vlefshme për ju që t’i kuptojnë qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri.

“Në qoftë se e kaloni ligjin për administratë shtetërore mos harroni se nuk ka me pasë më qeveri që do të mund ta ndërrojë. 1900 pozita jeni duke ia dhënë partive politike dhe koalicioneve që do ta udhëheqin qeverinë. Qeverisni ju prapë, mirëpo s’ka me mund më kurrë të ndryshohet”.

Si çështje e dytë që u ngrit nga Tahiri ishte për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Pse po kërkoni me heq kur njëherë keni kërkuar që të bëhen tetë anëtarë, tash po kërkoni shtatë. Prej këtyre shtatë anëtarëve po doni tre me qenë joprokurorë që janë funksione publike; drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, anëtari i komuniteteve në komunitetin konsultativ dhe ombuspersonin. Kush i zgjedh këta? Deputetët, përfaqësues të partive politike. Apo hynë njerëz joprokurorë në Këshillin Prokurorial si njerëz që votohen përmes matematikave. Ju e dini vetë, keni ardhë dhe e keni emëruar një person të KPK-së dhe pas dy ore keni thënë jo qenka politik. Mos harroni çka jeni duke bërë! Po e bëni dëmin e dytë duke e prekur këtë institucion”.

Për mediat, Tahiri tha se kjo legjislaturë mund t’ia shkaktojë Kosovës një dëm afatgjatë.

“Ky ligj është ka e dëmton dhe ka ankesa jo vetëm nga ne opozitë, por nga të gjitha instancat ndërkombëtare. Kërkesa ime është mos e votoni për shkak që do ta merrni etiketën që ia keni bërë një dëm afatgjatë Kosovës dhe që pastaj asnjë koalicion e asnjë parti nuk do t’i heqë këto ligje sepse ka interes t’i mbajë këto institucione”.