Qendra e shëndetit mendor në Podujevë ka mungesë të stafit punues për shkak se aty punon vetëm një psikiatër i rregullt, një motër medicionale, dy punonjës teknikë mjekësorë si dhe një punëtor i higjienës, shkruan Llapi.info.

Kështu ka thënë psikiatri i vetëm në këtë qendër, Orhan Qerimi, ku sipas tij është e vështirë që një personel prej kaq personash të merret me një komunë të tërë.

“ Për personel kemi nevojë, për një psikolog klinik, për një punëtor social që duhet me kanë këtu të rregullt, dhe dy- tri motra medicionale për shkak se bëjmë edhe vizita në shtëpi ”, u shpreh Orhan Qerimi.

QSHM-ja në Podujevë ofron shërbime për personat të cilët vizitojnë klinikën ose për personat që lajmërohen për vizita shtëpiake, shërbime këto të cilat qendra i kryen pa asnjë pagesë.

I pyetur nga Llapi.info se cilat janë problemet më të shpeshta të pacientëve, Qerimi tha se patologjia është e ndryshme dhe rastet janë të ndryshme.

“Patologjia është e ndryshme, vijnë prej atyre personave që kanë ankth (neuroza), depresion, por edhe për sëmundje psikike të randa që janë: shizofrenia bipolare, çrregullime të personalitetit, por vinë edhe pleq me demenca, e stres akut si dhe persona me strese pas traumave të ndryshme.”

Ai tha se në disa raste, pacientëve u sigurohen barnat pa pagesë, ndërsa kur nuk kanë mundësi pacientëve u shkruhen receta mjekësore me barna më të lira pasi që terapia mund të zgjasë nga 6 muaj deri  në 2 vite, si dhe mund të jetë e kushtueshme.

Krejt në fund ai përmes një mesazhi u bëri thirrje familjarëve të personave me probleme mendore, që të ofrojnë bashkëpunim me psikiatrin në mënyrë që trajtimi i tyre të jetë më i lehtë.

“Trajtimi bahet në bashkëpunim me familjarët e pacientit duke na informuar për ndryshimet e gjendjes së pacientit në mënyrë qe të aplikohen trajtimet e duhura”, përfundoi ai.

Kujtojmë se kjo qendër funksionon që nga viti 2008, ku edhe në atë kohë problem ka qenë mungesa e personelit./Llapi.info/