Mungesa e protokollit me rastin e ardhjes së faturave është një gjetje tjetër e raportit të Auditorit të Përgjithshëm në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info. Një gjë e tillë, sipas raportit të ZAP-it, rritë rrezikun e raportimit jo të drejtë të obligimeve, pagesës së dyfishtë apo edhe humbjes së faturave.
Në mungesë të protokollimit të faturave në një zyre të veçantë të protokollit, Komuna e Podujevës faturat i protokollon në tri drejtori: në drejtorinë e administratës, shëndetësisë dhe arsimit.
“Ne kemi testuar 19 fatura të papaguara që janë raportuar si borxhe në Ministrinë e Financave dhe kemi konstatuar se komuna nuk i ka kryer obligimet brenda afatit të paraparë prej 30 ditësh, për arsye të mungesës së mjeteve. Po ashtu, komuna me rastin e ardhjes së faturave nuk i protokollon ato në zyrën e veçantë të protokollit, por pranimi bëhet nga tri drejtoritë, si: administrata, shëndetësia dhe arsimi”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, përcjell Llapi.info.
Sipas raportit të ZAP-it, obligimet e papaguara në shumë prej 18,416€, të identifikuara në 13 fatura të vitit të kaluar nuk ishin shpalosur në Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2014, ndërkaq pagesat janë kryer në vitin 2015.
“Mungesa e protokollit me rastin e ardhjes së faturave, rritë rrezikun e raportimit jo të drejtë të obligimeve, pagesës së dyfishtë apo edhe humbjes së faturave. Kryetari duhet të siguroj se të gjitha faturat do pranohen nga zyra pritëse (arkiva), të protokolohen, dhe të distribuohen në Drejtoritë përkatëse në mënyrë që të ketë një raportim të drejt dhe evidenca të plota mbi detyrimet e Komunës”, thuhet në raport./Llapi.info