Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar për rrugën Deçan-Plavë. Ai thotë se kjo rrugë për shqiptarët është jetike që jetojnë në Plavë.
Sipas tij, problemin me Manastirin e Deçanit, ekzekutivi duhet ta zgjidh urgjentisht.
Murati thotë se “Manastiri i Deçanit dhe komuniteti fetar serb do të duhej të kuptonte që e vetmja mënyrë për avancimin e marrëdhënieve të mira me shqiptarët, është njohja e realitetit dhe bashkëpunimi me ta në të mirën e dyanshme”, ka shkruar ndër të tjerash ai.
Shkrimi i plotë:
Rruga Deçan-Plavë është jetike për shqiptarët që jetojnë në Plavë, Guci dhe trevat e tjera në Mal të Zi. Problemin e dalë me Manastirin e Deçanit, qeveria duhet ta zgjidh urgjentisht.
Sidoqoftë, edhe kjo krizë, dëshmon se korniza aktuale ligjore dhe kushtetuese e vështirëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në anën tjetër Kishës Serbe, pakicës serbe e rrjedhimisht Serbisë i jep privilegje të tilla, të cilat sa herë të duan e pengojnë këtë funksionalitet, qoftë edhe me pengimin e projekteve të tilla infrastrukturore.
Manastiri i Deçanit dhe komuniteti fetar serb do të duhej të kuptonte që e vetmja mënyrë për avancimin e marrëdhënieve të mira me shqiptarët, është njohja e realitetit dhe bashkëpunimi me ta në të mirën e dyanshme. Ndërtimi i rrugës ia rrit vlerën kulturore e turistike edhe Manastirit të Deçanit, si një pasuri kulturore e njerëzimit.
Përndryshe keqpërdorimi i privilegjeve të garantuara me ligje e Kushtetutë, dhe zbatimi i tyre në dëm të shumicës, në realitet veç e vështirëson pajtimin në mes të popujve dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë