Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka shqaruar vendimin lidhur me shtesat e pensioneve.
Murati me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se këto shtesa prej 10 euro do të vazhdojnë për tërë vitin.
“Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend. Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka shkruar Murati, përcjell Telegrafi.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që të rris vlerën prej 10 euro të pensioneve bazë për tre muajt e ardhshëm, por ta largoj shtesën prej 30 euro që ishte marr nga Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Mirëpo, ky vendim ka shkaktuar reagime të opozitës.
Ramush Haradinaj e ka konsideruar jonjerëzorë këtë vendim të Qeverisë pasi sipas tij nuk vazhdohet ndihma siç e kishte bërë qeveria paraprake për këtë kategori sociale.
“S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në janar të këtij viti, ish-qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte vendosur të paguante 30 euro shtesë mbi pensionin bazë për pensionistët për tre muajt pasues.
Pra shumica e pensionistëve nga 90 euro kanë marrë 120 euro, me vendim të Hotit.
Tani e tutje, kjo kategori e pensionistëve do të marrin vetëm 100 euro nga 120 sa kanë marrë paraprakisht.