Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe kanë votuar sot pro propozimit që shteti t’i ndajë mbi 10 milionë euro për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës, raporton Gazeta Express.

Miratimi i këtij propozimi është kritikuar nga opozita.

Deputeti i LDK’së, Besian Mustafa ka kritikuar Qeverinë për ndarjen e rreth 11 milionë eurove për energji në veri, duke thënë se ende asnjë euro nuk është shpenzuar për t’i vaksinuar qytetarët.

Ai ka shkruar se derisa shëndeti i qytetarëve po varet në donacionet e organizatave, qeveria sot ndau 11 milionë euro për rrymën në veri, gjë që dikur sipas tij, e kanë quajtur hajni.

“Ende asnjë euro s’kanë shpenzuar për t’i vaksinuar qytetarët, duke e varur shëndetin e 2 milion njerëzve në donacionet e organizatave. Sot, veç vet, i ndanë 11 milion euro për rrymën në veri. Dikur, këtë e quanin hajni. Sot, po e quajnë patriotizëm”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.