Ish komandanti i zonës së Llapit, e deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa edhe njëherë ka bërë thirrje për themelimin e Gjykatës Speciale. Ai është i bindur se Gjykata hapë rrugën për zhvillim të vendit.

Megjithatë, ai ka kundërshtuar shefin e ekzekutivit, Isa Mustafa, që një ditë më parë në një paraqitje televizive tha se Gjykata Speciale do ta pastrojë luftën e UÇK-së.

“Ka zëra të shumtë që thonë: ‘Gjykata Speciale do ta pastronte luftën e UÇK-së’. Asgjë të vërtetë nuk ka me këtë konstatim nga se UÇK ka qenë është dhe do mbetet e pastër… Gjykata nuk kushtëzohet me asnjë paqartësi, UÇK ka hapur rrugën për liri dhe perspektivë, ka fituar përkrahjen NATO-së dhe gjithë vendeve të qytetëruara botërore në rrugën e LIRISË… Tani mbetet të zhvillojmë, lirinë dhe edukimin në hapësirat ku jetojmë bashkë me aleatët tanë…”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Megjithatë, ai që njihet si njëri nga besimtarët më të mëdhenj të koalicionit PDK-LDK, ka bindjen se Gjykata Speciale do të funksionalizohet me synimin se do ndihmojë në vendosjen e rendit, ligjit në vend duke ndihmuar zhvillimin dhe lirinë duke sjellë vendime të drejta dhe të besueshme për tema të hapura apo dyshime mbi kohen e luftës, apo pas luftës.

“Të gjitha dyshimet mbi kohët e luftës do mbyllen shpejt dhe mbarë. Më shumë gjykata do ketë punë me vepra të dobëta kriminale, dhe ato që lidhen me krime ekonomike që kanë ndal zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Unë besoj në rrugën që kemi para nesh, se do ta rritim lirinë dhe do të dalim faqebardhë”, ka thënë ish komandanti./Koha.net