Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për Asociacionin e komunave serbe (AKS), që është njëra nga marrëveshjet e arritura në Bruksel më 2013, por që ende nuk ka gjetur zbatim.

Ai në një intervistë për Koha.net tha se marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvend me mbi 2/3 e votave të deputetëve. Me këtë marrëveshje Kosova është obliguar ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Marrëveshja e vitit 2015, sipas Mustafës, e detajizon mënyrën e themelimit.

Kujtojmë se gjatë mandatit të Mustafës si kryeministër i vendit, e pati dërguar në Kushtetuese atë marrëveshje dhe vendimi i saj thotë se AKS mund të themelohet vetëm në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Edhe njëra edhe tjetra marrëveshje parashohin themelimin e këtij Asociacioni në bazë të ligjeve të Kosovës. Aq më tepër në marrëveshjen e vitit 2015 është paraparë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të vlerësojë kushtetutshmërinë e Statutit të dekretuar nga Qeveria e Kosovës, para se ai të hyjë në fuqi. Siç dihet VV-ja, AAK-ja, dhe Nisma në mandatin e kaluar ushtruan dhunë të paparë kundër institucioneve me kauzë kundër demarkacionit dhe Asociacionit. Demarkacionin e gëlltitën posa e morën pushtetin me dhunë. Do ta gëlltisin edhe Asociacionin, por edhe njërën edhe tjetrën me vonesë dhe me pasoja për vendin”, tha lideri i LDK-së.

Marrëveshjet, sipas tij, nuk i japin Asociacionit kompetenca ekzekutive as përgjegjësi të pushtetit të tretë.

“Nuk kam njohuri se a kanë qenë të inkuadruar përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, të zyrës së BE-së, të OSBE-së dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në hartimin e draftit të Statutit, së bashku me ekipin menaxhues. Nëse jo, kjo është keq”, tha Mustafa për portalin Koha.net.