Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se vënia e gurthemelit në vendkalimin kufitar në Merdarë, që lidhë Kosovën dhe Serbinë është një rezultat i dialogut të zhvilluar mes të dyja vendeve.
“E vlerësoj lart vënien e gurthemelit të vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, vlerësoj se ky është një rezultat i drejtpërdrejtë i dialogut që kemi zhvilluar një kohë të gjatë, dialog që nuk ka qenë i lehtë por po jep rezultate shumë të mira”.
“Është një dëshmi që përmes dialogut duhet të vazhdojmë t’i zgjidhim të gjitha problemet tona me fqinjët”, ka thënë Mustafa gjatë ceremonisë së vënies së këtij gurthemeli, njofton Klan Kosova.
Mustafa ka falënderuar BE-në që ka mbështetur këtë projekt.
Në ceremoni është i pranishëm edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ministrja për Dialog, Edita Tahiri si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Të pranishëm do të jenë edhe ministrat e linjës dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.