Qendërmbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi ka nisur të bëjë për vete tifozët e Arsenalit, me përformancat e fundit. Pas ndeshjes ndaj Chelseat, ku bëri një gabim të rëndë, shumë llogaritën se ajo do të ishte ndeshja e fundit e Mustafit me fanellën e Arsenalit.

Mirëpo, ish-reprezentuesi i Gjermanisë është kthyer fuqishëm dhe vetëm sa po e rrit përformancën. Arsenali të dielën shënoi fitore 4:0 ndaj Newcastle Unitedit, duke e rritur serinë në tetë ndeshje pa humbje në të gjitha garat.

Mustafi regjistroi 71 pasime të sakta dhe fitoi më tepër dyluftime se çdo lojtarë tjetër i Arsenalit. Shumë tifozë të Arsenalit në rrjete sociale kanë lavdëruar 27-vjeçarin.

“Ai ka rritur nivelin dukshëm që nga gabimi në Stamford Bridge. Një nga lojtarët tanë më të mirë në javët e fundit”, ka qenë një nga komentet në Twitter.

“Kush ka vërejtur mënyrën se si Mustafi është kthyer në një qendërmbrojtës tek i cili mund të varesh? Ai po luan si një lojtar shumë i mirë. Po hamendësoj se çfarë i ka thënë trajneri Mikel Arteta atij”, ka qenë një koment tjetër.

“Përmirësimet më të mëdha nën drejtimin e Artetas janë dy lojtarët që kanë qenë më të urryerit te tifozët e Arsenalit – Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi. Ndeshje pas ndeshje, ata po tregojnë përformanca solide. Të dy po meritojnë të jenë titullar”, ka komentuar një tjetër.