Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Rinisë që janë duke u organizuar nga Ministria e Kulturës përkatësisht Muzeu i Kosovës nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, sot kjo ditë është shënuar edhe në Podujevë, njofton Llapi.info.
Historiani i Muzeut të Kosovës, Besnik Rraci tha për Llapi.info se në kuadër të këtyre Ditëve të Rinisë do të organizohen muze mobil në ç’do komunë të Kosovës dhe se sot ishte radha e Podujevës.
“Në kuadër të aktiviteteve Ditët e Rinisë, Ministria e Kulturës përkatësisht Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me departamentet e rinisë të gjitha qyteteve të Kosovës tash në këtë rast në Podujevë kemi organizu muze mobil. D.m.th është këndi i muzeut mobil prezantohet aspekti arkeologjik etnologjik, këndi i eseve, këndi i lojërave tradicionale dhe në fund ka qenë i parapamë dokumentari i presidentit Ibrahim Rugova”, tha Rraci.
Edhe Koordinatori i projektit “Muzeu Mobil” Fatmir Hoxha tha se në kuadër të Ditëve të Rinisë Muzeu Mobil ka përgatitur një agjendë të larmishme. Ai shtoi se pjesëmarrja e të rinjve në këtë qytet ka qenë shumë e lartë.
“Me këtë agjendë që ne jemi prezantuar sot në Komunën e Podujevës ka qenë një pritje jashtëzakonisht e mirë ku të rinjtë ju kanë bashkangjitur, sidomos vlen të veçohet koha prej orës 10:00 deri në ora 13:00 ku realisht kemi pas problem edhe ta menaxhojmë situatën për arsye se kishte me qindra të rinjë që ishin në këtë aktivitet” tha Hoxha.
Në këtë aktivitet të pranishëm kishte edhe të rinj nga Komuna e Vushtrrisë. Enis Klinaku nga kjo komunë tha se ndihet shumë mirë dhe se është i entuziazmuar me këtë aktivitet.
“Ndihem shumë mirë, kam ardhur në Podujevë për vizitë dhe pashë këtë aktivitet në të cilin edhe morra pjesë. Pash pjesëmarrje koxha t’madhe t’rinjve. Shpresoj që shumë shpejt ni aktivitet i tillë t’mbahet edhe në Vushtrri” tha ai.
Ndryshe, ky aktivitet ka filluar nga ekspozita brenda muzeut mobil ku iu ka dedikuar periudhës së neolitit. Pastaj aktiviteti i dytë ishte prezantimi i hartës etnologjike, aktiviteti i tretë ishte lojërat tradicionale. Ndërsa, vlen të veçohet loja e tekërrgjikut apo cic- mic që është quajtur në traditën tonë shqiptare, këndi i pikturimit, këndi i eseve ku të rinjtë kishin mundësinë të prezantojnë esetë e tyre me nga një temë të lirë si dhe këndi i kuizit./Llapi.info