Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit do të mundësojnë që procesi mësimor të zhvillohet pa pengesa.

Ajo ka thënë se në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe absolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna.

“Të dhënat me listat e studentëve tashmë janë përcjellë në DKA, bashkë me informatën për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja. Ky angazhim, studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca e tyre fizike në shkollë. Mirënjohëse për gatishmërinë për kontribut nga ana e dekanit të FE, Blerim Saqipi dhe falënderuese paraprakisht për punën e studentëve dhe bashkëpunimin me mësimdhënëset dhe shkollat”, ka thënë ajo