Naim Fetahu është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Podujevës, raporton Llapi.info.

Kandidatura e tij për kreun e Komunës është bërë e ditur sot, pasi ai ka marrë mbështetjen e degëve dhe nëndegëve të PDK-së në Llap.

Fetahu ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet 6 tetorit, por që s’ka arritur ta sigurojë ulësen e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu, Naim Fetahu ka qenë kandidat për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e 2013-s, ku kishte fituar plot 15 mijë 321 vota, rreth katër mijë vota më pak se Agim Veliu.

Në garë për të parin e kësaj komune janë edhe Nexhmi Rudari nga LDK dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më 15 mars 2020, banorët me të drejtë vote të Komunës së Podujevës do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri. Këto zgjedhje vijnë pas emërimit të Agim Veliut, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë e re./Llapi.info